Kancelari gjerman: Rusia nuk ka arritur asnjë prej objektivave të saj në Ukrainë
2024-02-19 15:13:23

Foto RTSH

Kancelari gjerman Olaf Scholz e vuri theksin te ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe shpresa e këtij vendi në konfliktin me Rusinë.

“Rusia nuk ka arritur asnjë prej objektivave të saj në Ukrainë”,- deklaroi Scholz, gjatë fjalimit të tij para krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota në Konferencën e 60-të të Sigurisë në Mynih, shkruan “RTSH”.

“Gjermania është e vendosur të vazhdojë më tej rrugën për mbështetjen e Ukrainës. Vetëm nëse europianët janë të besueshëm në mbështetjen e tyre për Ukrainën, presidenti rus do ta kuptojë se nuk do të ketë një paqe të diktuar me urdhër të Rusisë”,- tha kancelari gjerman.

Scholz u bëri thirrje europianëve të orientohen nga SHBA-ja për ndihmat ushtarake për Ukrainën. "Një përpjekje e ngjashme do të ishte më e pakta që mund të bëjë secili vend evropian”,- tha ai.

Po ashtu, kancelari Scholz i bëri thirrje Izraelit, para një ofensive të pritshme tokësore në Rafah kundër Hamasit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

“Ne nuk e respektojmë të drejtën ndërkombëtare dhe rregullat e saj, vetëm sepse kemi nënshkruar disa marrëveshje. Kjo është diçka sipas qëndrimit tonë që rrjedh nga humanizmi dhe ajo se si duam të jemi dhe si duam të shohim veten”,- theksoi Scholz.

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë, kancelari gjerman u takua edhe me zëvendëspresidenten amerikane, Kamala Harris, presidentin e Izraelit, Isaas Herzog, presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe mbretin jordanez, Abdullahu II. (Fatosi)