Konflikti Izrael-Hamas, kryediplomati amerikan: Zgjidhja me dy shtete, më urgjente se kurrë
2024-02-19 14:48:29

Foto Panorama

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ritheksoi se zgjidhja me dy shtete, me një shtet të pavarur palestinez, është mënyra për të dalë nga dhuna e vazhdueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve, njofton “ATSH”.

“Mendoj se ka një mundësi të jashtëzakonshme për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë këtij cikli”,- deklaroi Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë kategorikisht thirrjet për një Palestinë të pavarur. Por, Blinken tha se Izraeli ka mundësinë të bëjë përparime të mëdha diplomatike drejt një zgjidhjeje me dy shtete, pasi praktikisht çdo vend arab tani dëshiron të integrojë Izraelin në rajon për të normalizuar marrëdhëniet.

“Është më urgjente se kurrë të vazhdohet me një shtet palestinez, një shtet që garanton gjithashtu sigurinë e Izraelit dhe merr angazhimet e nevojshme për ta bërë këtë. Kjo mund të rezultojë në një rajon të integruar ku Irani është i izoluar dhe Izraeli është i sigurt në mënyra që nuk ka qenë kurrë më parë”,- tha Blinken. (Fatosi)