Kryediplomati shqiptar: Të shtohen përpjekjet për integrimin e Ballkanit në BE
2024-02-19 14:58:58

Kryediplomati Hasani (Foto Oranews)

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, u takua me homologë të tij nga disa vende në kuadër të Konferencës së Sigurisë të zhvilluar në Mynih.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “RTSH”-ja, ministri Hasani bëri të ditur se në fokus të bisedime ishin përpjekjet që duhet të bëjë Evropa dhe Ballkani Perëndimor në fushën e sigurisë, në një kohë kur situata nuk është aspak e qetë, prej konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Ministri Hasani tha se gjatë diskutimeve në konferencë iu dha prioritet edhe integrimit të Ballkanit në BE si një pikë kyçe për stabilitetin në Evropë.

“Diskutuam agjendën tonë dypalëshe, me fokus në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme nën sfidat aktuale globale”, shkroi ministri Hasani. (Fatosi)