Ministri Manja: Kemi një strategji për mbrojtjen e viktimave të krimit
2024-02-18 11:56:28

Ministri Manja (Foto Atsh)

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në tryezën e organizuar në kuadër të Javës Ndërgjegjësuese në Mbrojtje të Viktimave të Krimit, deklaroi se qeveria ka tashmë një strategji për mbrojtjen e viktimave të krimit, bën të ditur “RTSH”.

Ministri Manja u shpreh se nevijitet një kualifikim i fuqisë punëtore në mënyrë që viktimat e krimit të ndihen dinjitozë.

“Kemi një strategji për mbrojtjen e viktimave të krimit. Kategori vulnerabël është një njeri, familje që nuk ka mundësi të jetë i aftë për punë. Këtu duhet të fokusohemi, të rrisim programet e ndihmës ekonomike, jo për një njeri që është i pakualifikuar, i paarsimuar, ka tentuar të bëjë një punë dhe s’ia ka mbajtur dhe rri në dyert e ndihmës ekonomike. Do të duhet të përballemi me të gjitha këto fenomene”,- theksoi ministri Manja.

Sipas tij, duhet pasur qartësi për krijimin e fondit të besimit, i cili nuk duhet të shkojë për të paguar këtë kategori.

“Pagesa pa punuar, se je viktimë e një krimi, është lëmoshë e shoqërisë”, tha ministri Manja, i cili theksoi se duhet mëshuar te kualifikimi i fuqisë punëtore që viktimat të ndihen dinjitozë kur t’u ofrohet mundësia për punësim apo riintegrim në shoqëri.  (Irma)