Presidenti Macron: Njohja e një shteti palestinez nuk është tabu për Francën
2024-02-18 11:45:10

Foto ATSH

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, priti në një takim mbretin Abdullah II të Jordanisë, ku deklaroi se njohja e një shteti palestinez nuk është një tabu për Francën. Ai theksoi se një ofensivë ushtarake izraelite në Rafah do të çonte në një fatkeqësi humanitare të paprecedentë dhe do të ishte një pikë kthese në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, shkruan “ATSH”.

“Një zhvendosje e detyruar dhe masive e popullsisë do të ishte një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar dhe një rrezik i madh i përshkallëzimit rajonal”,- deklaroi presidenti francez, duke theksuar se prioritet absolut mbetet arritja e një marrëveshjeje për një armëpushim në Gaza.

Kreu i shtetit francez përsëriti zgjidhjen me dy shtete, izraelite dhe palestineze, për këtë çështje, për të cilën ai bëri thirrje për vrull vendimtar dhe të pakthyeshëm.

“Njohja e një shteti palestinez nuk është një tabu për Francën. Ne ia detyrojmë atë palestinezëve, aspiratat e të cilëve janë shkelur për një kohë të gjatë. I detyrohemi izraelitëve që jetuan masakrën më të madhe antisemite të shekullit tonë”,- theksoi Macron. (Irma)