Netanyahu bisedon me Biden: Izraeli refuzon diktimet ndërkombëtare për një pakt të përhershëm me palestinezët
2024-02-18 09:32:36

Biden-Netanyahu (Foto Rtsh)

Biden-Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Joe Biden, të cilit i deklaroi se ai vazhdon t'i rezistojë diktuesve ndërkombëtarë që duan të rikthehet paqja mes Izraelit e Palestinës përmes marrëveshjeve ende të papranueshme nga Izraeli, shkruan “RTSH”.

Zyra e kryeministrit Netanjahu informoi se në qendër të diskutimeve mes dy liderëve ishin pasojat pas sulmit të 7 tetorit të ndërmarrë nga grupi Hamas në Izrael, pengjet e marrë para luftës, ofensiva e planifikuar në qytetin e Rafahut dhe situata humanitare në Rripin e Gazës.

“Izraeli refuzon kategorikisht diktimet ndërkombëtare në lidhje me arritjen e një pakti të përhershëm me palestinezët. Një marrëveshje e tillë do të arrihet vetëm përmes negociatave direkte mes palëve, pa parakushte. Izraeli do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez. Kjo njohje në kuadër të masakrës së 7 tetorit do të ishte shpërblim i paprecedentë për terrorizmin dhe do të parandalonte çdo akord paqeje të mëvonshëm”,- tha Netanyahu.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Biden konfirmoi zotimin e tij për të punuar pa pushim e sa më shpejt për lirimin e të gjithë pengjeve, duke e mirëkuptuar situatën e rëndë që janë duke kaluar pas 132 ditësh nën kontrollin e Hamasit.

Biden dhe Netanyahu diskutuan edhe për situatën në Gazë dhe urgjencën për të garantuar ndihma humanitare për civilët palestinezë në nevojë.

Për sa i përket Rafahut, presidenti Biden theksoi se operacioni ushtarak nuk duhet ndërmarrë pa një plan të besueshëm dhe të ekzekutueshëm, i cili siguron dhe përkrahet nga civilët.

Qyteti i Rafahut, që ndodhet afër kufirit të Gazës me Egjiptin, mendohet nga pala izraelite se duhet pastruar nga militantët e mbetur për të dobësuar Hamasin. (Irma)