BE-ja parashikon rritje të ulët ekonomike për 2024
2024-02-17 12:06:12

foto: VCG

foto: VCG

Rritja ekonomike e vendeve të Bashkimit Evropian, sipas parashikimit për dimrin 2024, është më e ulët nga ajo që pritej. KE-ja bëri të ditur se rritja ekonomike si në BE ashtu edhe në Eurozonë në vitin 2023 ishte 0.5%, ndërsa në 2024 pritet të jenë përkatësisht 0.9% dhe 0.8%, raporton “RTSH”.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, rritja u frenua nga erozioni i fuqisë blerëse të familjeve, shtrëngimi i fortë monetar, tërheqja e pjesshme e mbështetjes fiskale dhe rënia e kërkesës së jashtme.

Perspektivat për ekonominë e BE-së në tremujorin e parë të 2024 mbeten të dobëta. Megjithatë, aktiviteti ekonomik pritet të përshpejtohet gradualisht këtë vit. Ndërsa inflacioni vazhdon të ulet, rritja reale e pagave dhe një treg elastik i punës duhet të mbështesin një rikthim të konsumit. Pavarësisht rënies së marzheve të fitimit, investimet do të përfitojnë nga një lehtësim gradual i kushteve të kreditimit. Gjithashtu, tregtia me partnerët e huaj pritet të normalizohet, pas një ecurie të dobët vitin e kaluar.

Parashikimi ekonomik i dimrit 2024 ofron një përditësim të parashikimit ekonomik duke u fokusuar në zhvillimet e PBB-së dhe inflacionit në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Parashikimi i dimrit bazohet në një sërë supozimesh teknike në lidhje me kursin e këmbimit, normat e interesit dhe çmimet e mallrave me një datë përfundimtare më 29 janar 2024.