Eurostat: Shqipëria po plaket më shpejt se gjithë Europa
2024-02-17 11:37:52

foto: VCG

foto: VCG

Ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve po sjellin një rritje të moshës mediane, që është mosha që e ndan popullsinë përgjysmë.

Të dhënat e Eurostatit, Zyrës Statistikore Europiane, mosha mediane e popullsisë së Shqipërisë arriti në 38.2 vjeç në vitin 2022, duke u renditur bashkë me Kosovën në mesin e vendeve me popullata me të reja se shtetet e tjera të Europës, por, në dy dekadat e fundit Shqipëria është plakur me ritmet më të larta, shkruan “Panorama”.

Në vitin 2002 mosha mediane e shqiptarëve (vlera që ndan gjysmën më të vjetër nga gjysma më e re e popullsisë) ishte 27.6 vjeç. Përgjatë dy dekadave 2002-2022 shihet se popullsia e Shqipërisë është plakur me 10.6 vite, norma më e lartë nga të gjithë vendet e Europës, e cila gjatë kësaj periudhe është plakur me vetëm 4.7 vite.

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave, më 1 janar 2023 mosha mediane e popullsisë rezulton 38.8 vjeç nga 38.2 që ishte më 1 janar 2022.

Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24% në 23.8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit nga 23.1% në 24.4% gjatë të njëjtës periudhë.

Mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç më 1 janar 2023. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së ishte më e vjetër se 44.5 vjeç, ndërsa gjysma tjetër ishte më e re. Mosha mesatare e popullsisë së BE-së është rritur me 2.3 vjet që nga viti 2013, kur ishte 42.2 vjeç, ndërsa popullsia e Shqipërisë për të njëjtën periudhe është plakur me 4.5 vite ritme dy herë më të lartë se mesatarja e Europës.

Vendi europian me popullsinë më të re në moshë është Kosova me moshë mediane 31.1 vite më 2022-shin, Azerbajxhani me 33.8 vite, Islanda me 36.7 vite dhe Shqipëria me 38.2 vite në të njëjtin nivel më Gjeorgjinë.

Italia është shteti me popullsinë më të plakur të Europës, me moshë mendiane 48 vite, pasuar nga Portugalia me 48.8 vite, Greqia me 46.1 vite, Gjermania me 45.8 vite.