6 miliardë euro fonde për Ballkanin, PE nis punën për miratimin e propozimit të KE-së
2024-02-15 16:41:30

foto: VCG

foto: VCG

Parlamenti Europian ka nisur procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Europian për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor.

Sipas këtij plani, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka në dispozicion 6 miliardë euro shtesë për rritje ekonomike dhe reforma të BE-së, bën të ditur “RTSH”. Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim për përfituesit, ndërsa 4 miliardë do të jenë kredi të favorshme për të cilat do të jetë garant BE-ja.

Komisioni Europian beson se ky plan do ta ndryshojë shumë Ballkanin dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike dhe me këtë do të ndihmojë edhe progresin e shteteve drejt integrimit në BE. Për t’u zyrtarizuar ky plan është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Europian (BE), që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Europian.

Parlamenti është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja të PE-së në qershor.