Rënie e numrit të lindjeve në veri të Shqipërisë, shkak emigracioni
2024-02-14 16:10:41

foto: VCG

foto: VCG

Shqipëria po përballet me rënie të shpejtë të lindjeve, sidomos në vitet pas pandemisë, por në qarqet e veriut, fenomeni është më i ndjeshëm. Teksa lindjet në shkallë kombëtare ranë me 10% në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022, në qarkun e Kukësit rënia ishte më 18.5%, shkruan “Panorama”.


Në qarkun verilindor, më i varfri në vend vitin e kaluar, lindën vetëm 667 foshnja, nga 819 në vitin 2022. Në dekadën e fundit, Kukësi është i vetmi qark që ka pësuar tkurrje të ekonomisë, ndryshe nga trendi kombëtar, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it.


Kukësi po vuan pasojat e emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm të popullsisë. Nga viti 2015, një kanal masiv emigracioni drejt Britanisë së Madhe i ka përkeqësuar ndjeshëm treguesit demografikë.


Pas Kukësit, tkurrjen më të madhe të lindjeve në përqindje e kishte Lezha me rreth 16.3 për qind në vitin 2023, e ndjekur nga Dibra ku lindjet shënuan rënie me 14.4% dhe Shkodra me 13.7%.


Qarqet e jugut kishin rënie më të butë. Rënien më të ulët të lindjeve e kishte qarku i Gjirokastrës me 3%. Më rënie të lindjeve po përballet edhe kryeqyteti, i cili nga viti në vit ka shtesë gjithnjë e më të ulët të popullsisë. Vitin e kaluar në Tiranë lindën 8144 foshnja, me rënie vjetore 10.4%.


Nga viti 2013 deri në vitin 2023 lindjet në shkallë kombëtare kanë shënuar rënie me 37%, ku normat më të larta për 10-vjeçarin i ka Berati dhe Kukësi me 52 dhe 50% secili.