Inflacioni i Shqipërisë vijon trajektoren rënëse, 3.4% në janar
2024-02-14 16:05:56

foto: VCG

foto: VCG

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po vijon rënien, duke arritur kështu nivelin më të ulët që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.


Instituti i Statistikave publikoi të martën Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i indeksit në muajin janar 2024 është 3.4%, një vit më parë ky ndryshim ishte 7.2%.


Krahasuar me dhjetorin e 2023-shit, inflacioni është 0.5%.


Krahasuar me muajin janar të 2023-shit, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5.3%, pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “argëtim dhe kulturë” me 5%, “hotele, kafene dhe restorante” me 4%, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.9%, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.4%, “veshje dhe këpucë” me 3.3%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3%, “shërbimi arsimor” me 2.2%, “shëndeti” me 1.6% dhe “komunikimi” me 0.3%, shkruan “ATSH”.


Nga ana tjetër, çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 4.3%. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate” u rritën me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 8.8%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 5.5%, “mish” me 4.3%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2.7%, “peshk” me 2.3% etj.