Task-Forcë për kontrollin e ujërave të ndotura në turizmin bregdetar
2024-02-14 14:33:45

Krijohet Task- Forca e dedikuar për kontrollin e trajtimit të ujërave të ndotura në sektorin e turizmit bregdetar. Kjo strukturë e posaçme do të ketë në fokus të punës së saj kontrollin e të gjitha subjekteve, që operojnë në bregdet dhe në zonat liqenore, për trajtimin e ujërave të ndotura sipas legjislacionit në fuqi dhe rregullores teknike të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, përpara derdhjes së tyre në ujërat larës, det apo liqen. Për këtë qeveria ka lënë një afat dhe në të gjitha rastet ku do të evidentohen shkelje, pas këtij afati, parashikohen ndëshkime për të gjitha subjektet. Ky aksion, i cili ka në fokus pastërtinë dhe rritjen e cilësisë së ujërave larës, ku përfshihen detet, lumenjtë, liqenet, vjen pas miratimit nga Kuvendi të aktit normativ të hartuar nga qeveria shqiptare.

Agron Haxhimali drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive analizon ngritjen e kësaj strukture.

“Nëse gjerat do të kishin shkuar mirë, nëse sistemi i menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe ujërave të zeza në Shqipëri që ka 30 vite që investohen milionë euro dhe problemi nuk është zgjidhur, atëherë lind e nevojshme si masë paraprake të ngrihet kjo task- forcë, nuk shikoj ndonjë problem. Ajo që vë re është mënyra se si po bëhet mediatike, po bëhet me shumë politikë dhe e shoh më shumë si qasje propagandistike”

Në intervistën për ABC News, Haxhimali e sheh të rëndësishëm monitorimin për të shmangur problemet që ka sjellë mungesa e trajtimit të ujërave të ndotura, por sipas tij fenomeni duhet parë në themel.

“Është e rëndësishme sepse politikat e institucioneve, kuadri ligjor, institucional, organizativ i të gjithë pushteteve e kanë lënë problemin pas dore. Nuk duhej sot të diskutonim ku do t’i hedhin ujërat e zeza bizneset apo familjarët, t’i hedhin në det apo të ndërtojnë gropa septike, apo impiante personale. Sistemi duhet të ishte integruar, ndaj mirë që e bënë, por duhet të ishte investuar në themel, të kishim një sistem të integruar. Nuk shkon kjo çështje me masa preventive apo task- forca, nuk shkon kjo çështje duke thënë gjuhën e ashpër toleranca zero, sepse jemi mësuar me këtë gjuhë dhe nuk do prodhojmë gjë”, theksoi ai.

Nëse gjërat do të funksiononin sistematikisht, ngritja e Task- forcës sipas Haxhimalit do të shmangej.

“ Ky është i gjithë thelbi i institucionit, qeveria shqiptare, dje sot apo dhe nesër duhet të ndërtojë sisteme të tilla funksionale për të shmangur këto ndërhyrje, këto task-forca. Kemi parë dhe task-forca për shembjet në bregdet që kanë krijuar probleme dhe për masa të tjera, të cilat nuk kanë qenë shumë efektive. Një sistem i qëndrueshëm i qeverisjes qoftë qendrore apo vendore duhet të ndërtojë sisteme të qëndrueshme, t’ju shërbejë dhe të punohet për qytetarët. Nuk mund të ndërtojmë sistem të kanalizimeve sepse do na vijnë turistët. Nëse nuk na vijnë turistët, a do të kishte nevojë për task- forcë ?”, tha ai

Drejtuesi i Shoqatës së bashkive ngre pikëpyetje se çfarë do të bëhet me njësite e banimit nga qytetarët që kanë shtëpi në bregdet, kush e kontrollon funksionimin e trajtimit të ujërave të zeza?

“Fusha e zbatimit  të ligjit është vetëm për industrinë e turizmit në vijat bregdetare. Le ti bëjmë dhe ato, por ka disa probleme. Për qytetarët a ka sistem të integruar të kanalizimeve të ujërave të zeza, ku përpunohen ato që ka banesa në vijën bregdetare?  Ne duhet të themi se sistemi është skandaloz”

Haxhimali thotë se duhen shumë më shumë investime për këtë problematikë.

“Ka nevojë për më shumë investime, të futesh në themel të këtij sistemi, kjo është e gjithë çështja që është kërkuar dhe kërkohet, pavarësisht se gjërat nuk kanë shkuar aty ku duhet. Unë këtu nuk shikoj asgjë të keqe, le ta bëjnë bizneset, industritë e turizmit apo i gjithë sektori në këtë drejtim të marrë masat.  Por kam një shqetësim tjetër që lidhet me impaktin financiar. Nuk do të bëj avokatin e industrisë së turizmit apo hotelerisë, por kur të bëhen të tilla akte, duhet të jenë më transparente grupet e interesit, sa para duhet t’i kushtojë industrisë së turizmit të ndërtojë sistemin e impiantin e trajtimit të ujërave”, vuri në dukje ai.

Pikëpyetje  Haxhimali ka edhe për funksionimin e Task- forcës në të gjitha bashkitë. Sa i takon bizneseve, ai thotë se kanë  paguar më parë për menaxhimin e ujërave të zeza.

“E kanë paguar njëherë me infrastrukturë, me shërbimet e urbanizimit dhe taksat e tarifat, por për hir të kësaj situate le ta paguajnë dhe ta ndërtojnë. Do të  kenë kosto dhe qeveria do u thotë se këto kosto do të rëndojnë mbi ju. Në rastin tjetër a ekziston infrastruktura dhe teknologjia? Nëse kanë paratë, a kanë bizneset teknologji apo sisteme për të bërë mini impiante në zonën e vet? Shqetësim tjetër kam a do jenë këto sisteme të kontrolluar nga pikëpamja higjienikë, nga cilësia apo mënyra se si do ndotin, se si do çlirojnë grimca apo impakti në mjedis? Kush do t’i kontrollojë këta?  Në të gjithë vijën bregdetare prej 320 km për turizmin që prek 11 bashki, qindra stacione plazhi a janë të gatshme dhe a kanë infrastrukturën e duhur për të investuar? Këto janë disa shqetësime që ngrenë dyshime se të do kemi problem”- shprehet Haxhimali.

Turizmi mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, në një kohë kur këtë vit parashikohet që numri i vizitorëve të jetë edhe më i lartë se vitin e kaluar duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit.