Shefi i Pentagonit shtrohet në spital, ia transferon përgjegjësitë zëvendëses
2024-02-13 12:55:11

Foto nga VCG

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, është shtruar në një repart të kujdesit kritik për shkak të problemeve me prostatën, duke ia transferuar përgjegjësitë zëvendëses së tij, njoftoi Pentagoni, shkruan “Panorama”.

Austin vuan nga kanceri në prostatë.

Zv.sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Kathleen Hicks, mori përgjegjësitë e detyrës, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, përmes një deklarate, duke shtuar se për këtë janë njoftuar Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi.

Sipas Pentagonit, Austin është shtruar në një njësi të kujdesit kritik në Qendrën Kombëtare Spitalore Ushtarake “Walter Reed”, për mbështetje shëndetësore dhe monitorim.

70-vjeçari Austin e mbajti për shumë të fshehtë sëmundjen e tij, madje nuk kishte njoftuar as presidentin amerikan, Joe Biden, për diagnozën e tij me kancer, duke nxitur kritika pasi SHBA-ja po përballet me krizat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Austin ishte zhdukur nga syri i publikut gjatë trajtimit për kancerin në prostatë në dhjetor dhe më pas në janar, pasi kishte pasur ndërlikime gjatë një procedure.

Këtë herë, publiku u njoftua dy orë pasi ai u dërgua në spital të dielën pasdite. (Fatosi)