Ministri Peleshi: Trupat shqiptare kanë treguar profesionalizëm të lartë në stërvitjen shumëkombëshe në Letoni
2024-02-13 11:32:55

Foto nga Facebook ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se trupa shqiptare EOD (Asgjësimi i Mjeteve Shpërthyese) kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në stërvitjen shumëkombëshe “Ares Strike”, në Letoni, shkruan “ATSH”.

“Pjesëmarrja e Forcave tona të Armatosura në “Ares Strike” janë tregues i bashkëpunimit dhe solidaritetit mes aleatëve të NATO-s”,- shkroi ministri Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Sipas tij, stërvitjet e përbashkëta janë instrument i rëndësishëm për të forcuar aftësitë ushtarake dhe për të siguruar një nivel të lartë të gatishmërisë së forcave ushtarake.

Duke filluar nga qershori 2017, Forcave tona të Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar në Letoni më një togë EOD, (Explosive Ordance Disposal- Asgjësimi i Mjeteve Shpërthyese) si pjesë e grupbatalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO-s.

Kontingjentet shqiptare në këtë grupbatalion përbëhen nga 18-23 ushtarakë, të cilët ndërrohen çdo 6 muaj.

Gjatë kryerjes së misionit, tre ushtarakë shqiptarë kanë humbur jetën.  (Fatosi)