Izraeli shpëton dy pengje në Rafah
2024-02-13 11:13:31

Foto nga VCG

Forcat Speciale të Izraelit liruan dy pengje izraelite në Rafah, gjatë një operacioni në këtë qytet.

Zyrtarët lokalë të shëndetësisë nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, thonë se sulmet ajrore të së hënës vranë 37 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë. Bombardimi shkaktoi panik të gjerë në Rafah, pasi njerëzit ishin në gjumë kur filluan. Disa kishin frikë se Izraeli kishte filluar ofensivën e tij tokësore në Rafah, njofton “RTSH”.

Aeroplanë, tanke dhe anije izraelite morën pjesë në sulme. Sipas banorëve, u goditën dy xhami dhe disa shtëpi.

Një operacion i përbashkët i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Izraelit, Shin Bet, dhe Njësisë Speciale të Policisë në Rafah, liruan dy burra 60 dhe 70 vjeç. Ata ishin rrëmbyer nga Hamasi nga kibuci Nir Yitzhak gjatë sulmeve të 7 tetorit. Dy burrat ishin në gjendje të mirë dhe u dërguan në Kompleksin Mjekësor Tel Hashomer. (Fatosi)