Mbreti Charles III bën daljen e parë publike pas diagnostikimit me kancer
2024-02-13 12:22:04

Foto nga VCG

Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III, ka ndjekur meshën në kishën në Sandringham, në daljen e tij të parë publike qëkur Pallati mbretëror njoftoi diagnostikimin e tij me kancer, shkruan “ATSH”.

Mbreti u shfaq i buzëqeshur dhe përshëndeti me dorë ndërsa po ecte jashtë kishës së Shën Maria Magdalenës me gruan e tij, mbretëreshën Kamila.

Rreth 100 dashamirës u mblodhën të dielën, ndërsa mbreti hyri në kishë. Turmat u mblodhën rreth portave të pronës private Norfolk, por nuk u lejuan të hynin në oborrin e kishës.

Mbreti është tërhequr nga të gjitha detyrat e tij ndërsa po trajtohet për kancerin.

Dalja publike vjen pasi mbreti falënderoi njerëzit të shtunën për mbështetjen dhe urimet e tyre të mira. Ai tha se të gjithë të prekurit nga kanceri e dinin se mbështetje të tilla janë ngushëllimi dhe inkurajimi më i madh. (Fatosi)