Kompania e bimëve mjekësore përfaqëson Shqipërinë në panairin në Gjermani
2024-02-13 12:04:29

 (Foto nga Facebook ministrja e Bujqesise Anila Denaj)

Shqipëria do të përfaqësohet në panairin “BIOFACH 2024”, në Gjermani, përmes bimeëve mjekësore. Kompania “Albanian Herb”, e cila ka mbi 18 vite që specializohet në grumbullimin dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike, do të jetë pjesë e stendës shqiptare në panair, njofton “ATSH”.

Në rrjetin e saj, kompania ka punësuar mbi 650 fermerë në të gjithë Shqipërinë.

Kompania eksporton në Turqi, Itali, Greqi, Bullgari dhe në vendet e rajonit.

Në Shqipëri kultivohen mbi 330 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike.

Sherbela shqiptare zë 66% të importeve amerikane, e cila së fundi po eksportohet edhe si produkt përfundimtar (i përpunuar) për industrinë ushqimore në SHBA. Eksporti vjetor i sherbelës drejt SHBA-së arrin deri në 5000 tonë, ose rreth 12 milionë dollarë.

Ndërsa 33% e totalit të eksporteve shkon në Gjermani, Francë, Itali dhe vende të tjera deri në Australi. Përveç sherbelës, eksportohet edhe rigon, trumza, dëllinja e zezë dhe esencat e disa lloje bimësh të tjera.

Ky sektor punëson mbi 90 mijë punonjës, 10% e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 hektarë. (Fatosi)