Numri i turistëve të huaj në Shqipëri u rrit me 30% në janar
2024-02-13 12:32:26

 Foto nga Lexo.al

Numri i turistëve të huaj në Shqipëri u rrit me 30% gjatë muajit janar 2024, duke shkuar në 489.599, krahasuar me vitin 2023. Ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë renditen polakët, me një rritje prej 411.8%, shkruan “ATSH”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur në rrjetet sociale se rritja e numrit të turistëve është një ogur i mirë për një vit fantastik.

“Mes turistëve nga tregje të konsoliduara e atyre të reja që zgjodhën ta zbulojnë e shijojnë Shqipërinë në janar, duke qenë prova e qartë dhe oguri i mirë për një vit fantastik, turizmi po konfirmohet si kartëvizita më e dashur e Shqipërisë në botë. Vetëm në janar pritëm 30% më shumë flukse vizitorësh krahasuar me vitin 2023, teksa vende të reja shtojnë peshën e tyre në hartën e prurjeve turistike”, shkruan Kumbaro. (Fatosi)