Nëse fiton presidencialet, Trump zotohet të shfuqizojë kufizimet për armët
2024-02-12 11:45:36

Foto nga VCG

Donald Trump, kandidati kryesor republikan në garën presidenciale, është shprehur se nëse rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë do të shfuqizojë të gjitha kufizimet për armët të miratuara nga presidenti Joe Biden, njofton “RTSH”.

“Sulmi i Bidenit ndaj pronarëve dhe prodhuesve të armëve do të përfundojë që gjatë javës së parë të rikthimit tim në detyrë, ndoshta që ditën e parë”,- tha Trump gjatë fjalimit para mijëra mbështetësve në Harrisburg, të Pensilvanisë.

“Gjatë 4 viteve të mandatit tim nuk ndodhi asgjë, edhe pse ndaj meje kishte trysni të madhe për të vënë kufizime për armët. Ne nuk bëmë asgjë, nuk u dorëzuam”, deklaroi Trump. 

Sipas të dhënave nga Qendra Kërkimore “Pew”, në Shtetet e Bashkuara gjatë një viti humbin jetën nga armët e zjarrit mesatarisht 46 mijë persona, nga të cilët rreth 54% e tyre kryejnë vetëvrasje.