Kryeministri izraelit: Po përgatitet një korridor i sigurt për civilët e Rafahut
2024-02-12 12:43:34

Foto nga VCG

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka siguruar qindra mijëra civilë që kërkojnë mbrojtje në qytetin Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës për një korridor të sigurt përpara ofensivës së planifikuar tokësore, njofton “RTSH”.

Ushtria izraelite njoftoi se do të sigurojë një kalim të sigurt për popullatën civile në mënyrë që ata të mund të largohen.

I pyetur se ku duhet të shkojnë më shumë se një milion palestinezë në qytetin në kufi me Egjiptin, Netanyahu tha se ishte përpunuar një plan i detajuar.

Shumë vende e zyrtarë janë shprehur kundër veprimeve ushtarake në Rafah ditët e fundit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për një katastrofë humanitare dhe pasoja për të gjithë rajonin. “Gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës është në Rafah dhe nuk ka ku të shkojë tjetër”,- shkroi ai në “X”.

Egjipti ka frikë se një operacion masiv ushtarak në Rafah mund të çojë në një fluks të palestinezëve të dëshpëruar në gadishullin egjiptian të Sinait. (Fatosi)