Kryediplomati amerikan viziton Tiranën, kryeministri Rama: Vlerësim për Shqipërinë
2024-02-12 10:41:07

Foto nga Gazetadita

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka cilësuar vizitën e pritshme të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë, një ditë të rëndësishme dhe vlerësim për Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, cituar nga “RTSH”, kryeministri Rama shkruan se Blinken do të gjejë një Shqipëri aleate në çështjet ndërkombëtare, një aleate për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe një vend të përkushtuar ndaj NATO-s.

Teksa e ka konsideruar Blinken një mik të çmuar të Shqipërisë, Rama tha se SHBA-ja e ka mbështetur pa rezerva vendin në rrugën e transformimit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të vizitojë këtë javë Tiranën. Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se Blinken do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani më 14 deri 17 shkurt.

Sipas njoftimit të DASH-it, vizita e Blinken në Tiranë synon të rikonfirmojë lidhjet e forta mes SHBA-së dhe Shqipërisë. (Fatosi)