Stoltenberg: NATO-ja duhet të përgatitet për një konfrontim të mundshëm 10-vjeçar me Rusinë
2024-02-12 11:20:50

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca duhet të përgatitet për një konfrontim të mundshëm 10-vjeçar me Rusinë dhe për këtë arsye të zgjerojë më shpejt industrinë e mbrojtjes së vendeve anëtare të saj, duke lëvizur nga ritmi i ngadaltë i kohës së paqes me ritme të prodhimit të shpejtë të konfliktit, shkruan “ATSH”.

“NATO nuk dëshiron një luftë me Rusinë. Por, ne duhet të përgatitemi për një konfrontim që mund të zgjasë me dekada”,- deklaroi Stoltenberg në një intervistë për mediet gjermane “Welt am Sonntag” dhe “Die Welt”.

Sipas tij, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, fiton në Ukrainë, nuk ka asnjë garanci që agresioni rus nuk do të përhapet në vendet e tjera.

“Mbrojtja më e mirë tani është mbështetja e Ukrainës dhe investimi në aftësitë ushtarake të NATO-s, sepse parandalimi funksionon vetëm nëse është i besueshëm. Ne duhet të rindërtojmë dhe zgjerojmë më shpejt bazën tonë industriale, në mënyrë që të mund të rrisim furnizimet në Ukrainë dhe të rimbushim rezervat tona. Kjo do të thotë kalim nga prodhimi i ngadaltë në kohë paqeje në prodhim të shpejtë, siç është e nevojshme në kohë konflikti”, tha Stoltenberg. (Fatosi)