Ministria e Jashtme: Marrëveshje për pensione me 16 shtete, në proces negocimi 17 të tjera
2024-02-12 10:42:09

Foto nga Konica.al

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, ishte e fundit në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara nga Shqipëria me shtetet e tjera. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të paktën 500 mijë emigrantë shqiptarë, por edhe 2 mijë qytetarë italianë.

Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se marrëveshje të ngjashme deri tani janë nënshkruar me 16 vende kryesisht evropiane, ndërsa janë në proces negocimi edhe 17 marrëveshje të tjera, përcjell “RTSH”.

Objekt i këtyre marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë. (Fatosi)