OKB: Në Rripin e Gazës 650 mijë persona kanë mbetur pa shtëpi
2024-02-11 13:45:56

Foto nga VCG

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se të paktën 650 mijë persona kanë mbetur pa shtëpi në Rripin e Gazës, pas nisjes së sulmeve izraelite që vazhdojnë prej 7 tetorit 2023.

“Në Gaza 100 mijë familje të zhvendosura kanë nevojë për tenda dimërore” bëhet e ditur në një raport të OCHA-së, përcjell “RTSH”.

Në raport thuhet edhe se rreth 12 mijë tonë rrënoja janë krijuar në rajon për shkak të sulmeve të Izraelit që kanë shënjestruar banesat në Gaza.

Për shkak të sulmeve izraelite, rreth 1.9 milionë persona janë zhvendosur me forcë nga Rripi i Gazës, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë. Shumica e palestinezëve të zhvendosur janë strehuar në rajonin Rafah në jug të Gazës.

Burimet palestineze kanë njoftuar se 70 mijë shtëpi në Rripin e Gazës janë shembur plotësisht, ndërsa 290 mijë të tjera janë dëmtuar pjesërisht ose janë bërë të papërdorshme. (Irma)