Netanyahu urdhëroi evakuimin e civilëve nga Rafahu
2024-02-11 13:29:39

Foto nga VCG

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi ushtrinë që të përgatisë një plan për evakuimin e popullatës në Rafah, para një pushtimi të pritur izraelit në këtë qytezë në jug të Rripit të Gazës, shkruan “Panorama”.

Deklarata e Netanyahut vjen pas kritikave ndërkombëtare për planin e Izraelit për të pushtuar këtë qytet të stërmbushur me banorë, që gjendet në kufi me Egjiptin.

Izraeli bëri të ditur se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, dhe i duhet të dërgojë trupat për të kompletuar planin e tij të luftës kundër grupit radikal.

Vlerësohet se në këtë zonë ndodhen rreth 1.5 milionë palestinezë, të cilët kanë ikur nga luftimet në pjesët e tjera të Gazës.

Netanyahu deklaroi se është i nevojshëm një operacion masiv në Rafah. Kryeministri izraelit theksoi se u ka kërkuar zyrtarëve të sigurisë që të prezantojnë një plan të dyfishtë, që do të përfshinte evakuimin e civilëve dhe një operacion ushtarak, për të shkatërruar njësitë e mbetura të Hamasit. (Irma)