Sidnej i Australisë starton festën 16-ditore për Vitin e Dragoit
2024-02-11 13:09:44

Foto nga VCG

Sidnej ka startuar me ceremonitë festive të festivalit 16-ditor për të kremtuar Vitin e Ri kinez të Dragoit.

Deri më 25 shkurt, metropoli australian do të mirëpresë eventin “Sydney Lunar Festival”, me një sërë aktivitetesh, duke përfshirë gara me varka me dragua, vallëzimin tradicional të luanit dhe shfaqje kulturore magjepsëse, shkruan “CGTN”.

“Festivali Hënor i Sidnejit është një nga ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, duke bashkuar njerëzit dhe duke festuar përmes ushqimit, artit dhe për trashëgimitë e ndryshme të komuniteteve multikulturore”,- deklaroi kryetarja e Bashkisë së Sidnejit, Clover Moore.

“Nga festa te shfaqjet dhe ushqimi i shijshëm i frymëzuar nga Hëna, ka mbi 70 evente për t'u shijuar gjatë 16 ditëve, kështu që ka diçka për të gjithë”,- theksoi kryebashkiakja.

Ndërsa viti 2024 shënon Vitin e Dragoit në kalendarin hënor kinez, Moore foli për veçantinë e dragoit, i cili, sipas saj, është krijesa e vetme mitike e të gjitha kafshëve në zodiakun kinez dhe shihet si një simbol i fuqishëm i vitalitetit, sipërmarrjes, pasionit, risive dhe romancës.

“Kjo shënon gjithashtu fillimin e një viti të mbarë për zonën tonë historike të Chinatoën, pasi ne fillojmë një projekt rivitalizimi prej 44 milionë dollarësh australianë për të festuar historinë e pasur të zonës dhe për t’i dhënë frymë të re për dekadat e ardhshme”,- tha ajo.  (Irma)