Ministrja Pirdeni: Sfida e administratës është ta përgatisë Shqipërinë si pjesë të familjes evropiane
2024-02-11 13:49:27

Foto nga ATSH

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ishte e pranishme në aktivitetin e organizuar në Tiranë për rritjen e profesionalizimit të administratës publike shqiptare.

Ministrja Piderni deklaroi se viti 2023 ishte një pikë kthese për të kthyer vështrimin drejt kapitalit njerëzor, ku u ndërmor një reformë thelbësore në sistemin e pagave në administratën publike, shkruan “ATSH”.

Ajo theksoi se në këtë proces pati një rritje prej 19-41% të nivelit të pagave për specialistë si dhe një rritje deri në masën prej 46% për nivelet drejtuese në administratë.

Ministrja Pirdeni tha se Shqipëria është renditur e para në rajon për zbatimin e standardeve të legjislacionit të shërbimit civil. “Sot sfida jonë e vërtetë është që administrata duhet të pulsojë me ritmin e kohës dhe që Shqipëria të përgatitet për t’u bërë pjesë e familjes evropiane”,- tha ajo.

Ministrja Pirdeni u shpreh se përgjatë një dekade u kalua nga modeli “fituesi merr gjithçka përfshirë edhe administratën” te model “aparati administrativ që zhvillohet, vetëpërmirësohet dhe transformohet drejt mirëqeverisjes”.

Ajo theksoi se tashmë ka një sistem solid dhe besueshmëria për konkurset në administratë, gjë që dëshmohet nga numri i shtuar i aplikantëve për vendet vakante.

Duke folur për “Programin e ekselencës”, Pirdeni tha se mbi 500 kolegë të rinj, sot studentë ekselentë me mesatare mbi 9, janë pjesë e stafeve të administratës, duke i dhënë ritmin e një strukture që ripërtërihet vazhdimisht. (Irma)