Modernizimi i sistemeve të pagesave, krijohen lehtësira për konsumatorët shqiptarë
2024-02-10 13:24:20

Foto nga RTSH

Në kuadër të projektit rajonal të Bankës Botërore për modernizmin e sistemit të pagesave në Ballkanin Perëndimor, Banka e Shqipërisë zhvilloi një “workshop”, me temë: “Modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri”.

Banka e Shqipërisë së bashku me Bankën Botërore, Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ka intensifikuar përpjekjet për tri prioritete kryesore në fushën e sistemeve të pagesave: implementimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave”, pjesëmarrja në Tregun Unik të Pagesave në Euro dhe ndërtimi i “InstantPayment”, përcjell “RTSH”.

Zëvendësguvernatorja e BSH-së, Luljeta Minxhozi, deklaroi se tashmë është finalizuar miratimi i kuadrit rregullator që bën të mundur zbatimin e plotë të ligjit “Për shërbimet e pagesave”. Sipas saj, zbatimi i tij, nga njëra anë e hap tregun edhe për palë të treta ofruese të shërbimeve të pagesave, dhe nga ana tjetër rrit kërkesat për përforcimin e standardeve të sigurisë në kryerjen e pagesave.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin drejt integrimit evropian, por do të krijojë edhe lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian.

Ky projekt vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë, siç janë turizmi dhe eksportet me BE-në, si dhe pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave. (Irma)