Rama takon presidencen e BEI-t, diskutuan për mbështetjen financiare ndaj Shqipërisë dhe rajonit
2024-02-10 10:27:57

Foto nga ATSH

Kryeministri shqiptar Edi Rama u takua me presidenten e Bankës Europiane të Investimeve, Nadia Calvino, gjatë vizitës së tij zyrtare në Luksemburg, ku biseduan për mbështetjen financiare e teknike për Shqipërinë dhe rajonin, përcjell “ATSH”.

Kryeministri Rama ishte pjesë edhe e panelit “Rruga drejt zgjerimit”, mbi rolin që institucionet më të rëndësishme financiare mund të luajnë në rrugën e Ballkanit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Në Bankën Europiane të Investimeve për të rritur mbështetjen financiare e teknike ndaj Shqipërisë dhe rajonit, si edhe në panelin e organizuar nga BEI për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, ku Shqipëria ishte e ftuar si një shembull suksesi e këtij procesi në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë vizitës së tij në Luksemburg, kryeministri shqiptar u takua edhe me homologun e Luksemburgut, Luc Frieden, me të cilin diskutoi për zbatimin e marrëveshjes së heqjes së tatimit të dyfishtë pas daljes së Shqipërisë nga lista gri, si dhe për rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve luksemburgas në Shqipëri. (Irma)