Kryeministri Rama: Objektivi i Shqipërisë, të jemi eksportues neto të energjisë brenda vitit 2029
2024-02-10 10:26:42

Foto nga Facebook 

Kryeministri Edi Rama, ndërsa zhvilloi një vizitë në Luksemburg, u shpreh se objektivi i qeverisë shqiptare është që vendi të bëhet eksportues neto për energjinë brenda vitit 2029.

“Objektivi ynë është që brenda vitit 2029 të jemi eksportues neto të energjisë dhe mos të kemi më nevojë për importin. Kemi filluar të kemi projekte me energjinë e diellit dhe erës dhe besoj do ta arrijmë këtë objektiv”, tha ai, citon “Panorama”.

Shefi i qeverisë foli dhe për komunitetin shqiptar në Luksemburg, duke theksuar se kanë arritur të afirmohen.

“Ajo që besoj unë është që gjithë këto mendje nëpër botë t’i afrojmë. Diferencën e bën mendja, sepse është më e rëndësishme të dish sesa të kesh. Sot kemi një botë shqiptare që di shumë dhe është detyra jonë të krijojmë kanale komunikimi dhe hapësira për të kontribuar nëse kanë kohë”, tha kryeministri Rama. (Irma)