Instituti për Bashkëpunim e Zhvillim zhvillon takimin mbi përfshirjen e shoqërisë civile në projektet e PEI
2024-02-10 14:12:49

Foto nga ATSH

Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor në projektet kryesore të Planit Ekonomik dhe të Investimeve (PEI) ishte në fokus të takimit që zhvilloi në Tiranë Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) në partneritet me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit (TCT), shkruan “ATSH”.

Drejtori i Kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Ardian Hackaj, deklaroi se për herë të parë ka një pasqyrë të plotë të institucioneve kombëtare, rajonale dhe ato të bazuara në BE, të përfshira në menaxhimin e ciklit të projekteve të infrastrukturës.

Sipas tij, kjo pasqyrë bazohet te të dhënat e studimit rajonal “Aktorët institucionalë, mekanizmat dhe angazhimi në Planin Ekonomik dhe të Investimeve.

“Kjo matricë bashkon të gjitha hapat e projektit, që nga identifikimi i tij e deri tek auditi, së bashku me institucionet përgjegjëse. Kjo na lejon të identifikojmë pikat se ku mund të hyjnë/përfshihen organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara, në momentin e duhur dhe përmes mekanizmit të duhur”, shtoi ai.

Sekretariati i Komunitetit të Transportit riafirmoi angazhimin për të përmirësuar zbatimin e projekteve kryesore të transportit në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Në emër të drejtorit të Sekretariatit të TCT-së, Matej Zakonjšek, Martina Hakl, nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në zbatimin e projekteve.

“Projekti “Connected WE Can” nxit dialogun dhe siguron një zbatim më gjithëpërfshirës dhe më me ndikim të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për tranzicion të qëndrueshëm dhe të gjelbër në sektorin e transportit. Komuniteti i transportit do të vazhdojë të angazhohet aktivisht me shoqërinë civile në fushën e transportit, duke vlerësuar njohuritë dhe kontributet e tyre”, tha Hakl. (Irma)