104 vjet kryeqytet, Tirana feston me aktivitete të shumta
2024-02-10 13:39:01

Foto nga  Travel-al.com

Me rastin e 104-vjetorit të Tiranës kryeqytet, Bashkia ka organizuar disa aktivitete që do të zgjasin përgjatë gjithë ditës së sotme, në pjesë të caktuara të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e festës, shkruan “Panorama”.

Aktivitetet përfshijnë muzikë me dixhej të njohur, kërcim, sport, kulinari dhe shumë argëtim për fëmijët.

“Tirana gëzon! Këtë fundjavë kemi festën më të bukur në rrugën më popullore të qytetit, te “Myslym Shyri”, me rastin e 104-vjetorit të Tiranës kryeqytet.

Muzikë nën tingujt e DJ më në zë të momentit, kërcim, zona e sportit, zona e gatimit, zona e argëtimit për fëmijë dhe shumë surpriza të tjera. Bashkohuni me ne”,- shprehet kryebashkiaku Veliaj, përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash duke kufizuar pjesërisht lëvizjen e automjeteve në zonën ku do të zhvillohen aktivitetet. (Irma)