Eurostat: Rreth 4 milionë refugjatë ukrainas ndodhen në BE
2024-02-10 10:58:45

Foto nga VCG

Agjencia e statistikave të BE-së, Eurostat, bëri të ditur se më shumë se 4 milionë njerëz, që u larguan pas konfliktit me Rusinë, po strehohen në Bashkimin Evropian.

Të dhënat treguan se rreth 4.3 milionë qytetarë jo nga vendet e BE-së kanë status të përkohshëm mbrojtjeje në vendet e BE-së. Gjithsej 98.2% e përfituesve të statusit të përkohshëm janë ukrainas, shkruan “ATSH”.

Gjatë tremujorit të katërt 2023, më shumë se 200.000 persona të rinj morën statusin e mbrojtjes së përkohshme, shifra më e ulët tremujore që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2022. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shifrat ranë me 21%.

Më shumë se gjysma e përfituesve banojnë në Gjermani (29%) dhe në Poloni (22.1%).

Mbrojtja e përkohshme është një masë emergjente për mbrojtjen e menjëhershme dhe të përkohshme për qytetarët jashtë vendeve të BE-së në rast të zhvendosjes masive për shkak të rrethanave ekstreme.

BE-ja përdori masat emergjente për herë të parë në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë, për të ndihmuar njerëzit që ikin nga lufta.

Në mars 2022, BE-ja prezantoi mbrojtjen e përkohshme të njerëzve që iknin nga Ukraina dhe në shtator 2023 ajo u zgjat deri në mars 2025. (Irma)