Kenia përshëndet ndihmën kineze në shpëtimin e peshkatarëve të saj
2024-02-09 10:19:17

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shërbimi i Rojës Bregdetare të Kenias, agjencia e zbatimit të ligjit detar të vendit, ka shprehur vlerësimin për ndihmën kineze në shpëtimin e tre peshkatarëve kenianë në det të hapur.  Në një letër drejtuar Shoqatës së Peshkimit Jashtë Kinës në Pekin përmes Ambasadës së Kinës në Nairobi, Roja Bregdetare bëri të ditur se mori informacion më 30 nëntor se katër peshkatarë kenianë ishin zhdukur gjatë një udhëtimi peshkimi në det të thellë. Roja Bregdetare nisi menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit të peshkatarëve.

Operacioni zgjati shtatë ditë, por përfundoi pa sukses, thuhet në letrën e datës 19 janar. Më 25 dhjetor, Roja Bregdetare mori një raport që thoshte se një anije peshkimi kineze, “Luqingyuanyu 108”, e licencuar nga autoriteti i peshkimit të Tanzanisë fqinje, kishte shpëtuar tre peshkatarë kenianë në një varkë të vogël të përmbysur në det.

Kapiteni kinez, në një gjest humanitar, koordinoi shpëtimin dhe siguroi ushqim, ujë dhe strehim për të tre. Ai menjëherë kontaktoi Shoqatën e Peshkimit Jashtë Kinës, e cila ra në kontakt me partnerin e saj lokal në Kenia, Sam Maina.  Partneri lokal, nga ana tjetër, koordinoi përpjekjet me Rojen Bregdetare dhe kapitenin për të ribashkuar peshkatarët e shpëtuar me familjet e tyre më 27 dhjetor, thuhej në letër.

Një gjest i mirë

“Përfitoj nga ky rast në emër të Shërbimit të Rojës Bregdetare të Kenias për të vlerësuar gjestin e mirë të kapitenit dhe Shoqatës së Peshkimit Jashtë Kinës që çoi në shpëtimin e peshkatarëve kenianë, duke shpëtuar kështu jetën e tyre”,- shkroi në letër Bruno Shioso, drejtori i përgjithshëm i Rojës Bregdetare.

Sipas një raporti të mëparshëm nga Agjencia Keniane e Lajmeve, katër peshkatarët u nisën për një udhëtim peshkimi nga qyteti bregdetar i Malindit në nëntor, por u zhdukën pasi varka e tyre pësoi avari dhe u godit nga dallgët e forta.  Tre peshkatarët që u shpëtuan - Hans Barak Killieney, Fahad Ali Mohammed dhe Akida Idd Mohammed - u bllokuan në det për 22 ditë, ndërsa i katërti, Ibrahim, besohet të jetë mbytur, thuhet në raport.

Pas shpëtimit të suksesshëm, Shioso tha se Roja Bregdetare do të intensifikojë përpjekjet e saj për të siguruar që ajo të operojë një forcë më moderne dhe të ketë aftësi të zgjeruara për operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.  Roja Bregdetare trajton rreth 900 raste të ngjashme çdo vit, me 62 për qind që përfshijnë anije të vogla peshkimi, sipas Agjencisë Keniane të Lajmeve.