Kuvendi i Shqipërisë ratifikon marrëveshjen me Kroacinë për pensionet
2024-02-09 10:58:40

Foto nga ATSH

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen me qeverinë e Kroacisë, nga e cila përfitojnë, të gjitha llojet e pensioneve, më shumë se 3 mijë shqiptarë.

Marrëveshja e negociuar prej shumë kohësh tashmë bëhet efektive me ratifikimin nga Parlamentet e të dy vendeve, bën të ditur “RTSH”.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar, nga marrëveshja me Kroacinë përfitojnë 64 biznese kroate me status aktiv që operojnë në Shqipëri. Ndër këto, 13 kompani janë me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj.

Finalizimi i marrëveshjes është paraprirë nga një proces, përgjatë të cilit janë zbatuar rregullat për koordinimin e skemave të mbrojtjes shoqërore për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar dhe punëdhënësit, sipas rregullores të Parlamentit Europian e të Këshillit të Europës.

Kjo është marrëveshja e 12-të që bëhet efektive. Janë gjithsej 16 marrëveshje për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, ndërsa në proces vlerësimi janë tre të tilla. Në mars do të vijohet me takimet në Beograd për marrëveshjen me Serbinë, ndërsa do të fillojnë bisedimet edhe me Poloninë e Sloveninë po gjatë këtij viti. (Elona)