Zyrat e punës ofrojnë 6300 vende pune, vetëm 22% për ata me arsim të lartë
2024-02-09 11:22:46

Foto nga RTSH

Agjencia Kombëtare Punës aktualisht ofron 6300 vende të lira pune në të gjithë vendin, prej të cilave vetëm 1400, ose 22 për qind, kërkojnë arsim të lartë.

Ndër profesionet ku kërkohen persona me arsim të lartë janë mjekësia dentare, teknologjia e informacionit, menaxhimi etj., bën të ditur “RTSH”.

Por më së shumti oferta për punë është për persona me arsim të mesëm dhe sektori i shërbimeve është ofruesi më i madh i vendeve të reja të punës nga zyra shtetërore të punësimit në fillim të vitit 2024.

Të dhënat e përpunuara tregojnë se një e katërta e vendeve të lira të punës është në Tiranë.

Tregu i punës gjatë vitit 2023 ka vijuar trendin rënës të shkallës së papunësisë së përgjithshme, por rritjen e papunësisë te të rinjtë.

Në parashikimet afatmesme, punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 0.2 për qind në vit gjatë viteve 2025-2027. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që trendet negative demografike, të vërejtura prej disa vitesh tashmë, pritet të vijojnë të kenë efekte shtrënguese si në ofertën për punë, ashtu edhe në numrat agregatë të punësimit përgjatë periudhës afatmesme në vijim. (Elona)