Shqipëria, e dyta në Europë për konsumin e frutave dhe perimeve
2024-02-09 10:51:08

Perime (Foto Panorama)

Perime (Foto Panorama)

Shqipëria renditet ndër vendet më të varfra të Europës në të ardhurat për frymë, por kur vjen puna për konsumin e frutave dhe perimeve, Shqipëria ka shpenzimet më të larta për frymë pas Zvicrës.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, një shqiptar harxhoi mesatarisht 761 euro për blerjen e frutave dhe perimeve në vitin 2022, niveli i dytë më i lartë në Europë, pas Zvicrës me 822 euro për frymë, shkruan “Panorama”.

Vendet mesdhetare shpenzojnë më shumë para për konsumin e grupit të perimeve dhe frutave në raport me vendet e tjera, edhe pse janë prodhuesit më të mëdhenj të tyre dhe kanë çmime më të lira.

Pas Shqipërisë, konsumin më të lartë për frymë e ka Mali i Zi me 679 euro për frymë duke u renditur i treti në Europë, më pas vjen Italia me 636 euro për frymë dhe Greqia me 625 euro për frymë.

Shpenzimet e larta në vendet e Mesdheut vijnë nga dieta e tyre bazuar në fruta dhe zarzavate.

Shpenzimet më të ulëta i ka Hungaria me 241 euro për frymë, Serbia me 244 euro, Bosnja 247 euro dhe Bullgaria 291 euro. (Elona)