Kryeministri izraelit kundërshton kushtet e propozuara nga Hamasi për armëpushim
2024-02-09 11:10:23

Foto nga VCG

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë kushtet e propozuara nga Hamasi për armëpushim, duke thënë se fitorja e plotë në Gaza është e mundur brenda disa muajsh, bën të ditur “RTSH”.

Ai e bëri këtë deklaratë pasi Hamasi parashtroi një sërë kërkesash në përgjigje të një propozimi për armëpushim të mbështetur nga Izraeli. Netanyahu tha se negociatat me grupin nuk po shkonin askund dhe i përshkroi kërkesat e tyre si të çuditshme.

“Nuk ka zgjidhje tjetër përveç një fitoreje të plotë dhe përfundimtare. Nëse Hamasi do të mbijetojë në Gaza, është vetëm çështje kohe deri në masakrën e ardhshme”,- tha Netanyahu në një konferencë për shtyp.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citoi një zyrtar të lartë të Hamasit të ketë thënë se komentet e Netanyahut mbi propozimin e armëpushimit tregojnë se ai synon të vazhdojë konfliktin në rajon. (Elona)