Ministria e Drejtësisë organizon Javën e Ndërgjegjësimit për mbrojtjen e viktimave të krimit
2024-02-08 10:49:21

Foto nga RTSH

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri njoftoi se do të organizojë nga data 15 deri më 22 shkurt Javën e Mbrojtjes së Viktimave të Krimit.

Ministri Ulsi Manja, përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, përcjell nga “RTSH”, deklaroi se mbrojtja e viktimave të krimit është një detyrë qytetare për një shoqëri të sigurt.

“Qeveria shqiptare ka miratuar të parën strategji ndërsektoriale për mbrojtjen e biktimave të krimit. Kjo strategji, siguron një kuadër garantues për mbrojtjen e viktimave. Nga data 15-22 shkurt, Ministria e Drejtësisë organizon Javën e Mbrojtjes së Viktimave”,- deklaroi ministri Manja.

Ai ka ftuar të gjithë aktorët, përfaqësues të institucioneve qendrore, vendore, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetin të bashkohen në këtë fushatë ndërgjegjësimi.

Ministri Manja theksoi se kjo javë ndërgjegjësimi do të realizohet çdo vit. (Irma)