BE synon reduktimin me 90% të emetimeve të karbonit deri në vitin 2040
2024-02-08 14:17:29

Foto nga VCG

Komisioni Evropian parashikon që objektivi më i fundit për reduktimin e emetimeve të karbonit do të ketë nevojë për shpenzime shtesë prej 1.5% të PBB-së.

“Një shtesë e PBB-së prej 1.5% krahasuar me dekadën 2011-2020 duhet të investohet çdo vit në tranzicion për të arritur reduktimin prej 90% të emetimeve të karbonit deri në vitin 2040, krahasuar me emetimet e vitit 1990”, thuhet në një deklaratë të KE-së, citon “ATSH”.

Megjithatë, ndryshe nga synimet për ta bërë Bashkimin Evropian neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050 dhe për reduktimin prej 55% të emetimeve deri në vitin 2030, objektivi i ri i 2040-s nuk është vendosur në ligjin e BE-së. Komisioni nuk ka filluar ende procesin formal për ta bërë atë një çështje ligjore.

Objektivi prej 90% është një rekomandim politik. Komisionet e radhës të BE-së, të cilët do të emërohen pas përfundimit të mandatit të komisionerit aktual më 31 tetor, do të vendosin nëse ai do të kthehet apo jo në një propozim ligjor konkret. (Irma)