Pakistani në votime mes krizave politike dhe ekonomike
2024-02-08 18:56:44

foto nga VCG

foto nga VCG

Në Pakistan shpërthyen bomba në zyrat e dy kandidatëve në zgjedhje, duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur shumë të tjerë, një ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Një fushatë e mbështetur nga ushtria kundër partisë opozitare të ish-kryeministrit Imran Khan ka ngritur dyshime nëse zgjedhjet do të jenë të drejta. Vendi është zhytur gjithashtu në një krizë të thellë ekonomike dhe siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Sarah Zaman, shumë shqetësohen se zgjedhjet nuk do t’i sjellin Pakistanit stabilitetin politik që i nevojitet. 

Mbi 128 milionë pakistanezë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 8 shkurtit. Shumë prej tyre mezi përballojnë shpenzimet e përditshme. 

“Problemi i parë që duhet të zgjidhin është inflacioni. Faturat na vijnë tepër të larta. Inflacioni po na shkatërron”, thotë Rukhsana Bibi. 

Çmimet janë gati 30 % më të larta se një vit më parë. Rritja e ulët ekonomike dhe borxhi shumë i lartë kombëtar i ka zhytur miliona njerëz në varfëri. Një program shpëtimi prej 3 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar përfundon në muajin mars. 

“Pakistani ka patur probleme, por jo të këtij niveli. Jemi pranë falimentit. Pra është shumë e rëndësishme që qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje të jetë në gjendje të përballojë sfidat ekonomike”, thotë Ahmed Bilal Mehboob, nga Instituti i Pakistanit për Zhvillimin Ligjor dhe Transparencën. 

Një anketim i kompanisë Gallup tregoi këtë javë se 70% e pakistanezve nuk kanë besim tek zgjedhjet. Një nga politikanët më popullorë të vendit, ish kryeministri Imran Khan, është skualifikuar nga kandidimi. 

Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve, gjykata e dënoi me disa vite burgim për korrupsion, keqmenaxhim të sekreteve shtetërore dhe martesë të paligjshme. Zoti Khan i konsideron akuzat të motivuara politikisht. 

E mbetur tashmë pa simbolin e saj kryesor elektoral, partia e tij Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI), po vështirësohet të bëjë fushatë në publik dhe në internet. Pjesa më e madhe e drejtuesve të saj gjenden në burg ose fshihen, për shkak të masave të marra që kur mbështetësit e kësaj partie sulmuan objektet e ushtrisë në muajin maj për të protestuar kundër arrestimit të zotit Khan. 

“Shumë njerëz e mbështesin këtë parti. Pra si do shkojë kjo punë? Pas zgjedhjeve, a do të jetë i mundshëm krijimi i qeverisë dhe a do të ketë një lloj stabiliteti politik? Apo për shkak se kësaj partie i është mohuar simboli i saj, do të ketë protesta etj., pas zgjedhjeve?”, thotë zoti Mehboob. 

Kryeministri i zgjedhur tre herë Nawaz Sharif është kandidati kryesor. I njohur për projektet e mëdha të zhvillimit, zoti Sharif nuk ka arritur ndonjëherë të përfundojë një mandat të plotë në detyrë. 

“Është e vështirë të thuash se kush është personi i duhur. Jam ende në kërkim të kandidatit të duhur për të ardhmen tonë, për mirëqenien e fëmijëve tanë”, thotë Adeel Rehmat Ali, shofer taksie. 

Kushdo qoftë fituesi, atij do t’i duhet të manovrojë me vështirësi përballë ushtrisë pakistaneze, që është institucioni më i fuqishëm në vend.