Ministrja Denaj takim me kryetarët e bashkive: Të bashkërendojmë punët për nevojat e komuniteteve në zonat rurale
2024-02-08 10:50:51

Foto nga RTSH

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, zhvilluan një takim online me 61 kryetarët e bashkive në Shqipëri.

Në takim u diskutua për punët e përbashkëta, duke nisur nga ndërhyrjet në infrastrukturën e ujitje-kullimit, fuqizimi i sigurisë ushqimore, ndërtimi i tregjeve të reja dhe orientimi i fermerëve drejt bashkimit, për të ndërtuar ekonomi dhe për të siguruar më shumë të ardhura për zonat rurale, shkruan “RTSH”.

“Duhet të forcojmë urat e komunikimit me pushtetin vendor, për të bashkërenduar energjitë dhe punët në përgjigje të nevojave të komuniteteve në zonat rurale”,- deklaroi ministrja Denaj, u bë e ditur në një njoftim për shtyp të ministrisë.

Në fokus të diskutimit ishte dhe kujdesi për Transumancën. “Duhet të rrisim bashkëpunimin ndërmjet bashkive dhe Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për shtegtimin e bagëtive, si një potencial ekonomik dhe trashëgimi e traditës blegtorale shqiptare, që duam ta ruajmë e ta kthejmë në tërheqje turistike”,- deklaroi ministrja Denaj. (Irma)