Firmoset marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet
2024-02-07 10:47:29

Foto nga RTSH

Shqipëria dhe Italia firmosën marrëveshjen për njohjen reciproke të pensioneve për shtetasit shqiptarë dhe italianë. Pas firmosjes së marrëveshjes në Romë, ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, tha se ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar prej vitesh në Itali, por edhe italianët që punojnë në Shqipëri, citon “RTSH”.

“Një moment shumë i rëndësishëm pas 15 vjet përpjekjesh. Jam i lumtur për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur me autoritetet italiane. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët dhe kontributin e tyre në Itali”,- tha Hasani.

Edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se kjo firmë pritej prej 15 vitesh pune dhe diskutimesh mes dy palëve.

“Një marrëveshje shumë e rëndësishme që garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri dhe atyre shqiptarë në Itali për pensionet. Ky vendim i përbashkët ofron për shumë persona një siguri për të ardhmen”,- tha Tajani.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj.

Dy vendet kanë punuar për një kohë të gjatë për njohjen e pensioneve reciproke, ndërsa dakordësia për marrëveshjen teknike është arritur në korrik 2022. (Elona)