Miqtë e Ballkanit Perëndimor takim në Romë, kryediplomati shqiptar: Të rrisim bashkëpunimin
2024-02-07 16:34:34

Ministrat e Jashtëm në Romë (Foto RTSH).

Ministrat e Jashtëm në Romë (Foto RTSH)

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të zhvilluar në Romë, theksoi nevojën për një qasje të re ndaj rajonit me fokus të veçantë në ekonomi, citon “RTSH”.

Sipas kryediplomatit shqiptar, konvergjenca ekonomike është mjeti që i mundëson rajonit të nxisë integrimin ekonomik përpara se të kalojë në një integrim politik eventual si hapi i fundit i procesit.

Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli dhe kontributi i sektorit privat në avancimin e kësaj kauze.

Ministri Hasani ishte në Itali, me ftesë të zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Grupi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i krijuar në vitin 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë. Grupi u krijua për të rritur vëmendjen e Bashkimit Europian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. (Elona)