Konflikti izraelito-palestinez, kancelari gjerman bën thirrje për zgjidhje me dy shtete
2024-02-07 16:46:11

Kancelari gjerman, Olaf Scholz me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu (Foto ATSH)

Kancelari gjerman, Olaf Scholz me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu (Foto ATSH)

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Scholz tha se perspektiva e shumëkërkuar e një shteti të pavarur palestinez ishte e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme”,- tha zëdhënësi i kancelarit gjerman, Steffen Hebestreit.

Scholz tha se një Autoritet Palestinez i reformuar, i cili aktualisht ka autonomi të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duhet të luajë një rol qendror në arritjen e këtij rezultati, shkruan “ATSH”.

Ndërsa lufta Izrael-Hamas në Gaza po trondit rajonin, liderët në SHBA dhe Britaninë e Madhe gjithashtu kanë bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete dhe izraelitët e palestinezët të jetojnë krah për krah në vende të veçanta.

SHBA-ja sugjeroi që Autoriteti Palestinez të merrte kontrollin e Rripit të Gazës pasi të përfundojë operacioni ushtarak izraelit.

Kryeministri izraelit deri tani ka hedhur poshtë kërkesat për një shtet palestinez dhe grupi militant palestinez Hamas vazhdon të bëjë thirrje për shkatërrimin e Izraelit.

“Gjatë bisedës telefonike, Scholz u informua gjithashtu për situatën ushtarake në Rripin e Gazës dhe në kufirin e paqëndrueshëm izraelito-libanez”, - tha Hebestreit.

Scholz theksoi nevojën urgjente për të përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ndihma humanitare për njerëzit në Rripin e Gazës. (Elona)