Zyrtarizohet Agjencia e Inteligjencës Financiare për paratë e pista
2024-02-07 11:19:44

Foto nga VCG

Qeveria shqiptare ka vendosur t’i hapë rrugë ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ajo do të quhet Agjencia e Inteligjencës Financiare. 

Kjo agjenci do të funksionojë si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, bën të ditur “RTSH”. 

Një ndër funksionet e saj do të jetë shkëmbimi i informacionit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale dhe financimit të terrorizmit. 

Ndërveprimi dhe bashkëpunimi i të gjithë këtyre aktorëve ka bërë që Shqipëria të dalë nga lista gri e pastrimit të parave.  (Elona)