Forcat amerikane shkatërruan pesë reketa në Jemen
2024-02-06 16:53:30

Rakete (Foto Oranews)

Rakete (Foto Oranews)

Ushtria amerikane njoftoi se forcat e SHBA-së kanë kryer sulme ajrore kundër pesë raketave në Jemen. Një prej raketave ishte e projektuar për sulm tokësor,  ndërsa të tjerat për të shënjestruar anijet në Detin e Kuq, shkruan “Panorama”.

Sulmet erdhën një ditë pasi forcat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kryen sulme të reja ajrore kundër objektivave iraniane duke goditur 36 pika të grupit rebel Houthi, në Jemen, si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të rebelëve ndaj anijeve.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi në rrjetet sociale se forcat amerikane kryen një sulm në vetëmbrojtje kundër një rakete lundruese që ishte projektuar për sulm tokësor dhe më vonë goditën katër raketa lundruese të cilat ishin të përgatitura për t’u lëshuar kundër anijeve në Detin e Kuq.

“Forcat amerikane identifikuan raketat në zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi të Jemenit dhe përcaktuan se ato paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm për anijet e Marinës amerikane dhe anijet tregtare në rajon”, theksoi CENTCOM. (Fatosi)