Kryetarja e Gjykata Kushtetuese: Nuk ka stok çështjesh të prapambetura
2024-02-06 11:35:47

Foto nga RTSH

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, deklaroi në një konferencë shtypi se Gjykata Kushtetuese nuk ka çështje të prapambetura.

“Nuk ka stok çështjesh të prapambetura. Gjatë vitit 2023, janë arsyetuar 353 vendime prej të cilave 70 vendime përfundimtare; 38 vendime moskalimi të mbledhjes së gjyqtarëve; dhe 245 vendime moskalimi të kolegjeve të gjykatës”,- shpjegoi ajo, citon “RTSH”.

Ndërsa bëri bilancin e punës së kësaj gjykate për vitin 2023, Zaçaj shprehu pakënaqësi në lidhje me buxhetin.

“Edhe pse me buxhet të pamjaftueshëm për nevojat e saj, Gjykata Kushtetuese me një vizion të ri të trupës ndërmori nisma konkrete për përmirësimin e veprimtarisë funksionale në disa drejtime”,- tha Zaçaj.

Lidhur me aplikimin e teknologjisë së informacionit në nivelin më të lartë të gjyqësorit, Zaçaj theksoi se do ta sjellë gjykatën në epokën digjitale dhe se pritet të materializohet gjatë periudhës 2024-2025. (Fatosi)