Nisin punimet për restaurimin e Kullës së Sahatit në Libohovë të Gjirokastrës
2024-02-05 20:31:27

Libohove (Foto Rtsh)

Libohove (Foto Rtsh)

Drejtoria rajonale e Trashëgimisë së Kulturës në Gjirokastër ka nisur restaurimin e Kullës së Sahatit në Libohovë, monument kulture i kategorisë së parë.

Kjo kullë do të restaurohet në tërësinë e saj, për ta rikthyer në funksionin e dikurshëm, shkruan “RTSH”.

E ndërtuar në fillim të shekullit XIX nga Ali Pashë Tepelena, dhe e vendosur në një pjesë shkëmbore mbi qytet, kulla e sahatit në Libohovë ka mundur t’i qëndrojë kohërave, duke dëshmuar vlerat e trashëgimisë së këtij qyteti.

Dikur kjo kullë ka shërbyer për llogaritjen e orës dhe kambana e saj dëgjohej në gjithë zonën. Ndërsa sot ajo mbart një histori shumëvjeçare dhe është shndërruar në simbol të qytetit, duke përfaqësuar vlera të trashëgimisë kulturore. (Fatosi)