Shqipëria dhe Italia pritet të firmosin njohjen reciproke të pensioneve
2024-02-05 11:40:19

Foto nga Lajmifundit

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Itali, ku pritet të firmosen edhe disa marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve, njofton “RTSH”.

Në axhendën e zbardhur nga Ministria e Jashtme, pritet që më 6 shkurt ministri Hasani të firmosë marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore së bashku me homologun e tij italian, Antonio Tajani.

“Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve. Vizita e ministrit Hasani në Itali shënon një angazhim të thelluar për zgjerimin e bashkëpunimit me Italinë në fusha me interes reciprok, në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. (Fatosi)